Биро за јавни набавки

Forum Rajonal në Shkup: Nga politikat deri te ndikimi real në luftën kundër korrupsionit

Më 10 dhjetor në Shkup u mbajt Forumi Rajonal “Nga politika deri te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, i cili mblodhi përfaqësues të lartë të qeverive, institucioneve, organizatave ndërkombëtare, sektorit civil dhe mediave hulumtuese.

Qëllimi i ngjarjes ishte forcimi i lidershipit politik dhe bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit, si dhe shkëmbimi i përvojave konkrete dhe mjeteve për sigurimin e rezultateve të matshme nga politikat antikorrupsion. Forumi vendosi theks të veçantë në digjitalizimin, përdorimin e të dhënave dhe përfshirjen e publikut si elemente kyçe për ndërtimin e besimit dhe llogaridhënies.

Në kuadër të Panelit IV: “Mekanizmat koordinues ndërmjet institucioneve për llogaridhënie / Roli i shoqërisë civile dhe mediave hulumtuese në promovimin e financave të hapura”, prezantim pati drejtoresha e Byrosë për Prokurime Publike, Dr. Mare Bogeva Micovska.

Në diskutim u theksua nevoja për koordinim të shtuar institucional ndërmjet trupave antikorrupsion, institucioneve të auditimit dhe organeve për prokurime publike, me qëllim kontroll më efikas dhe mbikëqyrje mbi shpenzimin e mjeteve publike, të bazuar në menaxhimin e rreziqeve dhe përdorimin e burimeve të përbashkëta të të dhënave.

Drejtoresha e Byrosë për Prokurime Publike theksoi se prokurimet publike përfaqësojnë hallkë kyçe në sistemin e llogaridhënies financiare dhe transparencës, veçanërisht kur institucionet, sektori civil dhe mediat punojnë mbi të dhëna të njëjta, të hapura dhe të verifikueshme.

“Në prokurimet publike, të dhënat e njëjta nënkuptojnë të njëjtën të vërtetë – kur Byroja për Prokurime Publike, Enti Shtetëror i Auditimit, Komisioni Antikorrupsion, organizatat qytetare dhe mediat hulumtuese përdorin të dhëna të përbashkëta të hapura, prokurimet publike bëhen themel i llogaridhënies. Ne i publikojmë të dhënat, ata i analizojnë dhe i hulumtojnë, ndërsa qytetarët mund të vlerësojnë qartë se si shpenzohen paratë publike.”

Në kuadër të panelit u potencua edhe roli i gazetarisë hulumtuese dhe organizatave qytetare në zbulimin e parregullsive, si dhe nevoja për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe efektiv për veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, u shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e nismave rajonale, standardeve të përbashkëta për prokurime publike, shkëmbimin e të dhënave për kompani dhe pronarë, si dhe vendosjen e mekanizmave “red-flag” për zbulimin e hershëm të rreziqeve në sektorë të ndjeshëm si infrastruktura dhe shëndetësia.

Forumi përfundoi me miratimin e “Deklaratës së Shkupit”, me të cilën pjesëmarrësit dërguan një mesazh të përbashkët për forcimin e integritetit, përpjekjeve antikorrupsion dhe bashkëpunimit rajonal, si bazë për besim më të madh të qytetarëve dhe menaxhim më efikas të mjeteve publike.