Биро за јавни набавки

U shtua një pyetje e re në Pyetjet e Shpeshta – A duhet të formohet në pjesë objekti i prokurimit për servisimin dhe transportin e automjeteve me defekt?

Organi kontraktues, në përputhje me nenin 78 paragrafi (4) të Ligjit për Prokurimet Publike, mund ta ndajë objektin e prokurimit në disa pjesë të veçanta, bazuar në kritere objektive sipas llojit, karakteristikave, qëllimit, vendit ose kohës së realizimit. Me këtë rast, ai përcakton objektin dhe madhësinë e secilës pjesë individuale, duke marrë parasysh mundësinë e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në procedurën e prokurimit publik.

Nëse organi kontraktues nuk e ndan objektin e prokurimit në pjesë të veçanta, në përputhje me nenin 77 paragrafi (4) të Ligjit, ai është i obliguar që në vendimin për prokurimin publik të japë arsyetimin për mosndarjen e objektit të prokurimit.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik, organi kontraktues, krahas dispozitave të Ligjit për Prokurimet Publike, zbaton edhe dispozitat materiale që rregullojnë objektin e prokurimit.

Sipas nenit 64 paragrafi (6) të Ligjit për Rrugët Publike, largimi i automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët komunale dhe lokale në territorin e komunës përkatëse ose të Qytetit të Shkupit mund të kryhet nga persona juridikë ose fizikë që posedojnë licencë të lëshuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Në bazë të nenit 64-a të të njëjtit ligj, licencën për largimin e automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët komunale dhe lokale e lëshojnë komunat ose Qyteti i Shkupit.

Nga ana tjetër, largimi i automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët shtetërore mund të kryhet nga një person juridik që posedon autorizim të lëshuar nga Ministria e Transportit. Vendimi për dhënien e autorizimit, sipas nenit 66-g paragrafi (3) të Ligjit për Rrugët Publike, publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Për këtë arsye, organet kontraktuese, gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik për shërbime të servisimit dhe mirëmbajtjes së automjeteve motorike, ku përfshihen edhe shërbimet për transportimin e automjeteve të dëmtuara dhe në defekt, duhet ta ndajnë objektin e prokurimit në pjesë (lote).

Gjithashtu, duhet të merret parasysh dispozita e nenit 90 paragrafi (2) të Ligjit për Prokurimet Publike, sipas së cilës, gjatë përcaktimit të aftësisë për ushtrimin e veprimtarisë profesionale të operatorëve ekonomikë, organi kontraktues kërkon edhe dëshmi të lëshuar nga organi kompetent për përmbushjen e kushteve të veçanta për ushtrimin e veprimtarisë, të përcaktuara me ligj dhe që lidhen me objektin e prokurimit publik.

Duke pasur parasysh sa më sipër, për pjesët e prokurimit që kanë të bëjnë me largimin e automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët komunale dhe lokale, si dëshmi për përmbushjen e kushteve të veçanta për ushtrimin e veprimtarisë, organi kontraktues duhet të kërkojë Licencë për largimin e automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët komunale dhe lokale, të lëshuar nga komunat ose Qyteti i Shkupit.

Ndërsa, për pjesët e prokurimit që kanë të bëjnë me largimin e automjeteve të dëmtuara dhe automjeteve në defekt nga rrugët shtetërore, si dëshmi për përmbushjen e kushteve të veçanta për ushtrimin e veprimtarisë, organi kontraktues duhet të kërkojë autorizim të lëshuar nga Ministria e Transportit.