Биро за јавни набавки

Prokurimet publike si motor i rritjes ekonomike – pjesëmarrja e Byrosë së Prokurimeve Publike në konferencën për reformat”

Byroja e Prokurimeve Publike mori pjesë në konferencën “Më pak barriera, më shumë mundësi: Reforma si shtysë për bizneset e vogla dhe të mesme”, e cila u mbajt në Shkup, në organizim të Institutit për Demokraci.

Në fokus të ngjarjes ishte pyetja se si reformat të kalojnë nga detyrime formale në mbështetje konkrete për bizneset, veçanërisht në kontekst të Agjendës së Reformave 2024–2027 dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Byroja e Prokurimeve Publike kontribuon aktivisht në realizimin e objektivave reformuese përmes masave konkrete për përmirësimin e sistemit të prokurimeve publike. U theksua se masa e parë – reduktimi i përdorimit të ankandeve elektronike – tashmë është realizuar me sukses. Gjatë këtij viti pritet të realizohet masa e dytë, që ka të bëjë me rritjen e përdorimit të E‑tregut. Ndërsa deri në vitin 2027 është planifikuar që të paktën 25% e vlerës së kontratave të realizuara të bazohen në kriterin “raporti më i mirë mes çmimit dhe cilësisë”, për të siguruar oferta më cilësore dhe më të qëndrueshme.

Politikat publike dhe prokurimet si mjet zhvillimi

Në panelin e dytë, me temë “Si e planifikon agjenda e reformave politikat publike dhe prokurimet si mjete për rritje ekonomike?”, mori pjesë m-r Marija Jovanoska, udhëheqëse sektori në Byroja e Prokurimeve Publike, së bashku me German Filkov nga Qendra për Komunikime Qytetare dhe Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë. Moderator ishte gazetarja ekonomike Aneta Dodevska.

Diskutimet u përqendruan në rolin e prokurimeve publike si instrument i rëndësishëm për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sektorit privat vendor. U theksua se përmes planifikimit strategjik dhe zbatimit të prokurimeve publike, institucionet mund të nxisin inovacionin, digjitalizimin dhe prokurimet e gjelbra.

Nga ana e Byrosë u nënvizua se përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit të prokurimeve, rritja e transparencës dhe harmonizimi me standardet evropiane janë parakushte kyçe për krijimin e një mjedisi të parashikueshëm dhe të drejtë afarist.

Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

U vendos theks i veçantë mbi nevojën që prokurimet publike të bëhen më të qasshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmes thjeshtimit të procedurave dhe krijimit të politikave që mundësojnë pjesëmarrje më aktive në treg. Në këtë drejtim, u theksua se përdorimi i E‑tregut për prokurime me vlerë të vogël, deri në 10.000 euro, u mundëson ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme qasje më të lehtë dhe më të gjerë, duke reduktuar barrën administrative dhe kohën e procesit të prokurimit.

Gjithashtu, u theksua se Ligji për Prokurimet Publike përmban dispozita që nxisin pjesëmarrjen e këtyre ndërmarrjeve, përmes kërkesave të reduktuara për dokumentacion dhe ndarjes së lëndës së prokurimit në disa pjesë në procedurat e hapura dhe të kufizuara.

U veçua edhe mundësia që ligji ofron për aplikimin e kriterit “Oferta Ekonomikisht Më e Favorshme”, jo vetëm sipas çmimit më të ulët, por edhe sipas raportit më të mirë mes çmimit dhe cilësisë, duke marrë parasysh aspekte cilësore, mjedisore, sociale dhe inovative.

Reformat si mundësi reale

Konferenca konfirmoi se Agjenda e Reformave përfaqëson një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e ekonomisë, por suksesi i saj do të varet nga zbatimi efikas dhe pjesëmarrja aktive e të gjitha palëve të interesuara.

Byroja e Prokurimeve Publike do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e sistemit të prokurimeve publike, me synim që ai të bëhet mbështetje e fuqishme për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e tregut vendor.